Select Page

Zeqirija Ibrahimi: Duhet të ndryshojë modeli i politikës gjuhësore në Maqedoni dhe shqipja të bëhet zyrtare me kushtetutë

Zeqirija Ibrahimi: Duhet të ndryshojë modeli i politikës gjuhësore në Maqedoni dhe shqipja të bëhet zyrtare me kushtetutë

Ndonjëherë njeriu neveritet prej argumenteve që i ka dhënë, sepse e sheh sa keq është t’i flasësh murit
Kur thosha se gjuha shqipe nuk është bërë zyrtare dhe se shteti mbetet njëgjuhësh, u bëra halë në sy jo vetëm të disa injorantëve ilinditas të vendit tonë, por edhe të disa mburravecëve të Shqipërisë e të Kosovës, që kishin qejf edhe atje të fitojnë zgjedhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që u miratua në Maqedoni më 11 janar 2018.
Nejse, e kaluar ajo më. E tash kur Komisioni i Venedikut prononcohet përkitazi me ligjin, mburrja u thartohet dhe u shfaqet inferioriteti e injoranca.
Ndërkaq e vërteta e të vërtetave është se Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk e ka ndryshuar modelin gjuhësor të Maqedonisë së Veriut, pra nuk ka prekur në politikën gjuhësore të shtetit. Me fjalë të tjera, Maqedonia e Veriut mbetet shtet njëgjuhësh, që i njeh gjuhët e pakicave (sipas kategorizimit të bërë nga Miquel Siguan). Shtete të këtij tipi janë Britania e Madhe në relacion me gjuhën e Uellsit dhe Holanda në relacion me gjuhën frizike. Dhe, problemi që lind nga kjo është se në këtë mënyrë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të trajtohen si minoritet dhe shqipja të trajtohet me Konventën e Minoriteteve. Rrjedhimisht, sipas standardeve ndërkombëtare për të drejtat e minoriteteve, ajo del se është gjuhë shumë e avancuar në Maqedoninë e Veriut dhe se, madje, ka dalë përtej detyrimeve që i lejohen një gjuhe të pakicave. Dhe, problemi kthehet në fillim: a jemi ne minoritet, siç janë romët, vllahët, boshnjakët e serbët apo jemi kombi i dytë shtetformues në Maqedoninë e Veriut? Përgjigjja: bota na trajton si minoritet.
Që ta rezymoj, do të them se që shqipja në Maqedoninë e Veriut të zgjidhet, duhet të ndryshojë modeli i politikës gjuhësore në Maqedoni, shteti të bëhet dygjuhësh (kjo të sanksionohet në kushtetutë) dhe shqiptarët të bëhen kombi i dytë në shtet. Krejt tjetra është improvizim dhe betejë për pikë politike, që politikanët i bën komikë, ndërsa fatin e popullit e bën tragjik.
Kështu kur me këso punë merren injorantët dhe meskinët”, ka shkruar anëtari i Kryesisë Qendrore të Alternativa-s, Zeqirija Ibrahimi.