Select Page

Sarrit i mbushet mendja, vendos për Dybalan

Sarrit i mbushet mendja, vendos për Dybalan

12:55 | 20 Shtator 2019

Paulo Dybala mund ta bëjë paraqitjen e parë si titullar në edicionin e ri me Juventusin.

Maurizio Sarri kurrë nuk ka dashur të bëjë eksperimente. As në lojërat që, teorikisht, mund t’ia kishin lejuar këtë gjë. Por grupi i lojtarëve të Juventusit është i zgjeruar, ndaj rotacioni është domosdoshmëri. Në ndeshjen e radhës së Serisë A, kundër Veronës, do të jetë kështu.

Nga Buffon te Rabiot, shumë po shpresojnë te shansi për t’i zëvendësuar ata që në katër sfidat e para sezonale kanë pasur më shumë hapësira aktivizimi si titullarë.

Në listën e atyre që shpresojnë për një mundësi të tillë është edhe një emër më ilustrues se të tjerët: ai i Paulo Dybalas. Ky i fundit do të ketë nesër, më në fund, mundësinë e startimit si titullar për herë të parë në këtë sezon.

Një moment i shënuar për të, duke pasur parasysh minutazhin e paktë që Sarri i ka dhënë deri më tani. Ai erdhi nga stoli në duelin e furishëm kundër Napolit, plus që luajti dhjetë minuta të tjera kundër Atletico Madridit. Një mbrëmje e hidhur për të dhe për Juven në “Wanda Metropolitano”, transmeton “SuperSport”.

Për pjesën tjetër, Dybala deri më tani ka përjetuar vetëm pasdite dhe mbrëmje të hidhura. Vetëm stola, vetëm fytyra të ngrysura. Dhe ai “tweet” i vëllait të tij, Gustavo, i cili i kujton Sarrit se “violinës i mungon një tel për të luajtur mirë”. Kjo shprehje nuk ka shumë nevojë për “përkthim”.

Ndaj Veronës, e cila deri më tani ka fituar, ka barazuar dhe ka humbur nga një ndeshje, pritet të pushojë Gonzalo Higuain. Dybala është gati ta zëvendësojë bashkatdhetarin, me Cristiano Ronaldon dhe Bernardeschin në anët e sulmit bardhezi.