Select Page

KMDLNj: Nuk ka arsye që të ketë vonesa në formimin e institucioneve

KMDLNj: Nuk ka arsye që të ketë vonesa në formimin e institucioneve

10:48 | 15 Tetor 2019

Ilustrim: KMDLNJ-ja

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka kërkuar që institucionet e Kosovës të formohen sa më shpejt të jetë e mundur ngase sipas tyre çdo vonesë do të ndikojë në efikasitetin dhe efektivitetin e institucioneve të reja.

KMDLNj përmes një komunikate për medie thotë se presin që opozita të jetë bashkëpunuese dhe konstruktive ndërkaq tejkalimin e fjalorit në disa raste e konsideron si rezultat i një euforie të fituesit të zgjedhjeve sikur edhe dëshpërimit për shkak të humbjes së zgjedhjeve.

Ata në këtë komunikatë kanë kundërshtuar rezultatet përfundimtare që e nxjerrin Listën Serbe si fituese absolute për faktin se votimi është bërë në rrethana të një presioni të madh të Listës Serbe dhe ndërhyrjes flagrante përmes metodave të dhunës dhe të shantazhimit që e ka bërë Serbia dhe presidenti i saj , Aleksandar Vuçiq ndaj votuesve serbë të Kosovës.

Komunikata e plotë:

Procesi zgjedhor përfundoi duke u vlerësuar me një notë të lartë , si nga mekanizmat monitortues të Kosovës ashtu edhe nga ekipet monitoruese ndërkombëtare , qoftë nga ekipi i BE-së ashtu edhe nga të tjerët. Votuesit e shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar në përputhje me vullnetin dhe preferencat partiake dhe për këtë nuk kishin pengesa që do të ndikonin në rregullsinë e procesit zgjedhorë si dhe në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Është një përjashtim të cilit nuk i është kushtuar vëmendje e duhur dhe , për pasojë kemi rezultate të kontestueshme sepse , për shkak të presionit të madh të Beogradit , votuesit serbë të Kosovës kanë qenë të detyruar ta votojnë Listën Serbe gjë që e kanë konstatuar edhe monitoruesit e zgjedhjeve. KMDLNj kundërshton rezultatet përfundimtare që e nxjerrin LS si fituese absolute për faktin se votimi është bërë në rrethana të një presioni të madh të Listes Serbe dhe ndërhyrjes flagrante përmes metodave të dhunës dhe të shantazhimit që e ka bërë Serbia dhe presidenti i saj , Aleksandar Vuçiq ndaj votuesve serbë të Kosovës. Prandaj , votimi për serbët e Kosovës duhet të përsëritet sikur që duhet të krijohen kushte që votuesit serbë të Kosovës të votojnë pa iu nënshtruar kërcënimeve , shantazhimit dhe terrorizimit që ua kanë bërë LS dhe autoritetet e Serbisë. Votuesve serbë të Kosovës në këtë mënyrë iu është shkelur në mënyrë flagrante e drejta elementare e njeriut , e drejta për të votuar dhe për t’u votuar.

Nëse për procesin zgjedhorë vlerësimet kanë qenë më të larta dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare , ka shumë vërejtje në punën e komisionerëve të zgjedhjeve , sidomos nga ata që nuk kanë fituar vota të mjaftueshme dhe të cilët kanë deklaruar se iu janë “ avulluar “ votat. Nëse votuesit janë përcaktues për rezultatin final të subjekteve garuese atëherë duket se komisionerët janë përcaktues për përbërjen e listave me deputetë që e kanë fituar të drejtën për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 është krijuar një situatë e qartë ; LVV aktualisht është fituese e zgjedhjeve kurse LDK po pret rezultatin përfundimtar dhe certifikimin e këtij rezultati me shpresë se do të jetë fituese e zgjedhjeve. Në anën tjetër kemi dy subjekte politike që janë radhitur në vendin e 3 –të , PDK dhe në vendin e 4 –të , koalicioni AAK – PSD dhe të cilat menjëherë janë deklaruar se i pranojnë rezultatin e  zgjedhjeve dhe se kalojnë në opozitë. LVV dhe LDK edhe para zgjedhjeve kanë bërë përpjekje të bëjnë një koalicion parazgjedhorë por se nuk dolën të garojnë bashkë kurse , tani , në rrethana të reja nuk e kanë asnjë problem të përshpejtojnë formimin e institucioneve të reja për faktin se janë deklaruar për bashkëqeverisje. Asnjëherë nuk kemi pasur një situatë më relaksuese për formimin e institucioneve të reja dhe çdo vonesë në këtë drejtim do t’i adresohet pozitës apo fituesve të zgjedhjeve . KMDLNj kërkon që institucionet e Kosovës të formohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe , çdo vonesë do të ndikojë në efikasitetin dhe efektivitetin e institucioneve të reja. KMDLNj pret që opzita të jetë bashkëpunuese dhe konstruktive ndërkaq tejkalimin e fjalorit në disa raste e konsideron si rezultat i një euforie të fituesit të zgjedhjeve sikur edhe dëshpërimit për shkak të humbjes së zgjedhjeve. Kosova edhe ashtu është vonuar prandaj kërkohet një përgjegjshmëri më e madhe e pozitës por edhe opozitës përballë proceseve të rëndësishme me të cilat po përballet dhe do të përballet Kosova në një të ardhme të afërt.

KMDLNj pret që ndërkombëtarët të mos bëhen “ ndrikulla “ në formimin e institucioneve të reja por duhet ta respektojnë vullnetin e shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. /Lajmi.net/