Select Page

Crvena Zvezda kthehet në Serbi, s’ka ndeshje ilegale në Kosovë

Crvena Zvezda kthehet në Serbi, s’ka ndeshje ilegale në Kosovë

12:05 | 9 Tetor 2019

Policia e Kosovës dhe Njësitet Speciale edhe njëherë janë treguar të vëmendshëm ndaj provokimeve serbe, pasi kanë ndaluar hyrjen e ekipit të Crvena Zvezdës në territorin e Kosovës për të zhvilluar një ndeshje ilegale.

Crvena Zvezda po planifikonte të luante sot ndeshjen e raundit të 1/16 në kuadër të Kupës së Serbisë kundër Trepçës ilegale në Zveçan.

Por në vendkalimin administrativ të Jarinjës, forcat policore të Kosovës të mobilizuara kanë bllokuar hyrjen e serbëve në territorin e Republikës tonë dhe i kanë detyruar të kthehen mbrapsht, shkruan lajmi.net.

Federata e Futbollit e Kosovës kishte lajmëruar se ndeshja nuk do të zhvillohet dhe për këtë gjë kishte kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës, e cila e kishte detyrën për t’i ndalur futbollistë serbë të hyjnë në territorin e Kosovës.

FFK-ja kërkoi nga FIFA që të pengojë zhvillimin e kësaj ndeshjeje, duke u thirrur në të drejtën e garantuar si organizatore e vetme e garave të futbollit në territorin e Kosovës.

Por FIFA, befasisht, mori qëndrim që shkon në favor të Serbisë dhe në dëm të futbollit kosovar dhe FFK-së.

Ndryshe, kjo ndeshje pritet të luhet nesër në territorin e Serbisë. /Lajmi.net/