Select Page

Cakaj: Shqipëria meriton hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

Cakaj: Shqipëria meriton hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka deklaruar se Shqipëria meriton hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), gjatë konferencës për mediat me kryediplomatin austriak, raporton AA.

Cakaj realizoi në Tiranë një takim me ministrin Federal për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, ndërsa në konferencën e përbashkët për mediat u fokusuan në çështjet e integrimit evropian dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e negociatave”

Gjatë konferencës për mediat, Cakaj tha se Shqipëria dhe Austria gëzojnë raporte të shkëlqyera diplomatike dhe politike.

“Austria është prej mbështetësve kryesore të rrugëtimit evropian të Shqipërisë në përgjithësi dhe çeljes së negociatave për anëtarësim në veçanti. Diskutuam hollësisht për mbështetjen që Austria do t’i japë Shqipërisë për çeljen e negociatave dhe po ashtu diskutuam për format e ndryshme të asistencës teknike të shtetit austriak për të kontribuar në rritjen e kapaciteteve të Shqipërisë për të përballuar sfidat që vijnë nga ky proces”, theksoi Cakaj.

Ministri në detyrë Cakaj u shpreh më tej se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim.

“Ka vazhduar suksesshëm procesi i vetingut, ka vazhduar sipas përcaktimeve kohore ngritja e trupave të reja të gjyqësorit dhe ka vazhduar përmirësimi i historikut të qëndrueshëm të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mbi këtë kuadër, Shqipëria meriton hapjen e negociatave për anëtarësim”, theksoi Cakaj.

Schallenberg për procesin e integrimin evropian: Qëndrimi i Austrisë është shumë i qartë

Ministri Schallenberg, duke folur rreth procesit të integrimit evropian të Shqipërisë tha se qëndrimi dhe pozicioni i Austrisë është shumë i qartë.

“Ne duam të hapet drita e gjelbër për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në lidhje me hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Ne besojmë se kjo ka të bëjë me kredibilitetin. Ne kemi paraqitur kushte të cilat janë plotësuar dhe tani e kemi ne në Bruksel të japim mendimin tonë dhe të bëjmë atë që na takon. Sigurisht që ne jemi përpara diskutimeve të vështira”, u shpreh Schallenberg.

Ai tha se Austria do të mbetet partner i besueshëm për Shqipërinë edhe në fushën e binjakëzimit dhe projekteve. “Ne gjithashtu do të përpiqemi edhe në fushën ekonomike t’i çojmë më përpara marrëdhëniet tona sepse mendojmë se ka vend për përmirësim”, tha më tej ministri Schallenberg.

Në lidhje me zhvillimet në dhe për Kosovën, Schallenberg, tha se “Kosova është realitet. Austria ka qenë një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë. Shumica e vendeve të Kombeve të Bashkuara e kanë njohur pavarësinë. Bashkimi Evropian ka mundur të ndjekë një politikë koherente ndaj Prishtinës dhe Beogradit dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Duhet të presim për formimin e qeverisë në Kosovë përpara se të reagojmë dhe të mbajmë një qëndrim”.

Ministri Schallenberg gjatë vizitës do të realizojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të Shqipërisë.